22/11/2014

KOSOVA APO MBRETËRIMI I NJË GJENDJE QË TË SHTYN PËR TË IKUR SA MË SHPEJT ?!







 
Labinot Gjini
22 Nëntor 2014


 Është e pabesueshëme se sa shqiptarë sheh në përditshmëri kur jeton në një vend perendimor, e sidomos në Francë. Sidomos në Francë ku para një kohe (20 vjet më parë) nuk ishin më shumë se 10 000 shqiptarë në të gjithë teritorin e saj dhe tani janë më shumë se 10 000 shqiptarë vetem në një qytet të sajin mesatar. 

Valët e mëdha të emigrantëve shqiptarë kanë qenë të ndryshëme në Francë. Ato më të hershmët mund të njihen nga Lufta e Dytë Botërore. Më pastaj, kemi një valë të vogël me disa punëtorë të ardhur për çështje ekonomike gjatë vitëve 70-80. Më vonë, gjatë vitëve 90 kemi një valë më të madhe ku shumica iknin nga kriza e rëndë politike që po mbretëronte në Kosovë dhe nga Serbia fashiste që po sundonte egërsisht në këtë vend. Kishte disa që kishin ardhur nga Republika e Shqipërisë këndej pas hapjës së kufijëve më 1992. Gjatë luftës së Kosovës numri u shtua edhe më tej i emigrantëve në Francë (u dyfishua). Mirëpo, si asnjëherë më parë, nuk është parë një valë kaq e madhe e refugjatëve në këtë vend siç gjatë këtyre 4-5 vitëve të fundit. Një valë e jashtzakonshëme ka ardhur qysh më 2010 dhe ka vazhduar deri më sot. Asnjëherë më parë, si shqiptar, nuk ju kishim rënë në sy kaq shumë françezëve. Por tani, ata n'a kanë parë edhe të shtrirë, duke fjetur, të mbledhur, të palarë, të shtrenguar nga të ftohtit, të turpëruar si mos më keq. Ata n'a kanë parë përditë nëpër parqet e tyre duke fjetur, n'a kanë parë përditë nën urat e tyre të autobanëve apo të hyrjës së tunelëve të pështjellur nën çadra të alpinistëve në mes të qytetit. N'a kanë parë në lajme audiovisuale, n'a kanë parë në reportazhe të gazetave, në debate për emigracionin.... n'a kanë parë nëpër statistika të kërkesave të azilit ku prej 2010 qëndrojm në vendin e parë. 

Kjo gjendje vazhdon edhe sot më 2014. Kjo gjendje ndjehet edhe në Kosovë. Kush e ka vizituar Kosovën rregullisht - jasht sezonës së pushimëve ku vlojn emigrantët shqiptar nga të gjitha anët dhe kompenzojn popullësinë e munguar -  ka mundur fare lehtë ta vrej me sytë e tij se si ka rënë popullësia në këtë vend përgjatë këtyre 4-5 vitëve të fundit. Dal nga dal, në Kosovë, shumë fshatra e qytetete po ngurtësohen. Humbja e demografisë, bënë gjithëherë një humbje të dinamikës ekonomike.

Kjo ikje nga vendlindja dhe pranimi i një gjendje kaq të rëndë mbijetese (jeta nën urë, në parqe, në parkinge, në bodrume, në garazhda, në banesa në pritje të shkatërrimit) gjatë qëndrimit nëpër këto vende perendimore, kjo humbje e skajshëme e dinjitetit njerëzor, qytetar e kombëtar, si mund të shpjegohet ? 



Valët e ikjës gjatë luftës së Kosovës janë teje të kuptueshëme për çdo këndë. Ta presësh makinerinë e ushtrisë serbe tek shtëpia dhe me duar në xhepa, është e vështirë. Apo ti kundërvihesh një makinerie të fuqishëme ushtarako-policore me duar bosh, është e pamundur. Ata n'a kishin detyruar të lëshonim vendin dhe e lëshuam me lot në sy. Ne nuk u turpëruam as nuk e humbëm dinjitetin tonë duke e lëshuar vendin nën dhunën ushtarako-policore serbe. Përkundrazi, mbarë bota ndau një dhimbje me ne. Ata n'a kuptonin dhe ne e kuptonim gjithësesi veprimin tonë. Porsa përfundoj lufta, ashtu siç n'a larguan, ne u kthyem prapë në vatrat tona. Mirëpo, sot kush është ka na detyron të lëshojm vendin tonë në një drejtim të papërcaktuar më parë, për të gjetur dhe pranuar një gjendje kaq të padinjitetshëme në vende të huaja ? Skamja ? Lakmia ? Siguria ? Shendëti ? Drejtësia ? Dhuna ?

Realisht, të gjitha janë ngapak që e luajn rolin e tyre. Mirëpo, për ata që i njohin situatatë nga afër, e dinë se skamja nuk është faktori kryesor (së paku, ajo objektive dhe jo ajo që mund të jetë e përceptuar nga individët e ndryshëm). Vështirë ta quajm faktor kryesor edhe lakminë për një jetë më të mirë sepse është vështirë t'a kuptosh një përulje kaq të thellë të dinjitetit të shtyrë nga lakmia (materiale). Por, shendeti është një faktor kryesor për një pjesë të këtyre njerzëve që kanë lëshuar Kosovën. Dhe këta janë ata që i mirëkuptojm më së miri. Ka një pjesë të vogël prej tyre që kanë ikur nga dhuna ose nga pa siguria fizike (kërcënime, shantazhime...). Ka edhe prej atyre që kanë ikur nga mungesa e drejtësisë që ata ndjejnin gjatë jetës së tyre të përditshëme dhe nuk mund të duronin më.

Por, besojm se shpjegimi më i qëndrueshëm është se kjo valë e madhe e njerzëve që ikin nga Kosova në këto vite të pasluftës (të "lirisë") shpjegohet nga humbja e çdo shprese për ditë më të mira. Kjo ndjehet në thellësinë e tyre, kjo ndjehet në fjalimin e tyre, kjo ndjehet tek refuzimi i tyre për tu kthyer në Kosovë, tek pranimi i çfarëdo gjendje për të ndejtur në këto vende perendimore. Për ta, është bërë më e lehtë të flesh në një parking, në një park, nën një urë, në një garazhdë, në një bodrum të Francës se sa në shtëpinë tënde në Kosovë. Kjo, sepse parkingu, parku, ura, garazhda, bodrumi i Francës duket më shpresëdhënëse se sa shtëpia e tyre në një vend ku krimi, korrupsioni, skamja, mungesa e sigurisë, mashtrimi, gënjeshtra...janë bërë të përditshëme dhe duken aq mirë dhe fort të instaluara në çdo institucion; aq fort sa të jep përshtypjen se do të jetë e përhershëme. Në Kosovë, për ta asgjë nuk funksionon, të gjithë gënjejn, të gjithë mashtrojn, të gjithë janë të korruptuar, të gjithë janë të lidhur dhe të implikuar në krim....  Ndjenja e pafuqisë, e mungesës së kompetencës, ndjenja e vogëlsisë përball madhështisë së këtij kaosi institucional, moral, shoqëror, politik, ekonomik.... të shtynë, aq sa edhe makineria serbe në marsh për të të vrarë, të ikësh larg dhe të pranosh çdo të keqe tjetër në shkëmbim për sa kjo e keqe e shkëmbyer të ketë një fije të vetme shprese për tu bërë e mirë. 

Duke qenë se sot jemi një shoqëri e informimit dhe e komunikimit dhe duke e ditur se komunikimi luan një rol primar tek jeta e një individi, mediat tona (në Kosovë) janë bërë njëra prej armëve më destruktive të vendit tonë. Ato, së bashku me politikanët tanë, janë ka e luajn rolin kryesor në këtë ikje. Mënyra e paraqitjës së gjërave me një mungesë totale të një kodi deontologjik, mungesa e një profesionalizmi të fushës së gazetarisë bëjnë që të shohim përditë në plan të parë :  gënjeshtrat dhe mashtrimet e përditshëme nga politikanët ku ai që gënjen dhe mashtron duket si "më i forti" apo "baba", krimin të paraqitur si trimëri, të vërtetën të shpallur si shpifje, shpifjet dhe kundërshpifjet të shpallura si të vërteta, pornografia e paraqitur si simbol i suksesit individual, injorancën të shpallur si mençuri, mençurinë, urtësinë të shpallur si të pavlera, drejtësinë të shpallur si ndonjë ideal të paarritshëm përkundër shkathtësisë në mashtrim si art të domosdoshëm për një jetë reale....Kjo paraqitje nga mediat tona, tërësisht të papërgjegjshëme, ka luajtur një rol jo dhe aq të vogël në psikologjinë e qytetarit tonë dhe në sjelljen e tij shoqërore. Si shoqëri kemi shkaktuar dëme të mëdha mbi qytetarin tonë si individ dhe, si individ, kemi shkaktuar dëme të mëdha mbi shoqërinë tonë. 


Këto dëme që ne i kemi bërë vendit tonë si shoqëri e si individ, na bëjnë të jemi bartës të pasojave të ikjëve masive të qytetarëve tanë dhe të humbjës së dinjitetit të tyre para syve të botës. Ikja e këtyre qytetarëve tanë nga Kosova do të ndjehet thellësisht në dinamikën ekonomike të vendit, do të ndjehet thellësisht tek dinamika afariste, do të ndjehet thellësisht tek xhepi i qytetarëve të mbetur në Kosovë. Por, mbi të gjitha, dinjiteti i humbur i atyre që lëshuan vendin dhe që po flenë nëpër parkingjet, nën urat, lulishtet, garazhdat e bodrumet e Francës, po ndjehet thellësisht në humbjen e dinjitetit tonë si shoqëri, si shtet dhe si komb shqiptar. Dinjiteti i tyre është dinjiteti ynë dhe humbja e këtij dinjiteti individual apo grupor, është humbja e dinjitetit si shoqëri dhe si komb. Kot e kanë ata që duan të jenë pjesë përbërëse e të mirave të tona shoqërore e kombëtare dhe që, në anën tjetër, duan ti shmangen të këqijave të përbashkëta shoqërore e kombëtare. Të mirën dhe të keqen, deshëm apo nuk deshëm, ne do ta ndajm bashkë para syve të botës. Pra, humbja e dinjitetit të tyre, është edhe humbja e dinjitetit tonë.